Wednesday, 17 March 2021

Vetëm këta kosovarë po arrijnë të marrin viza nga ambasada gjermane në Prishtinë

 

Që nga përhapja e pandemisë Covid-19 në pranverën e vitit 2020 e deri më tani, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka lëshuar rreth 18 mijë viza. Tetë mijë prej tyre janë lëshuar për qëndrime afatshkurta si dhe 10 mijë të tjera për qëndrime afatgjate. Ambasada e Gjermanisë aktualisht është duke lëshuar viza për bashkim familjar, vizat për studime dhe kategori të tjera të caktuara të vizave të punës për punonjës me kualifikime të larta, shkruan Syri Kosova.

Përhapja e pandemisë Covid-19 nuk i ka ndaluar kosovarët që të presin në radhë të gjata para objektit të Ambasadës gjermane në Prishtinë për të aplikuar për marrjen e një vize.

Pavarësisht kufizimeve të udhëtimit që shtete të ndryshme kanë ndërmarrë, janë gjithsej 18 mijë viza që kjo ambasadë ka lëshuar për kosovarët gjatë periudhës një vjeçare që kur nisi të përhapet koronavirusi në Kosovë.

“Për shkak të kufizimeve të kushtëzuara nga pandemia COVID-19, për arsye të vendosjes së masave kufizuese të udhëtimit nga pranvera 2020, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar vetëm rreth 18.000 viza. Në to përfshihen rreth 8.000 viza për qëndrime afatshkurta dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Numri më i madh i vizave afatgjatë të lëshuara ka qenë për bashkim familjar, pasi vizat e këtij lloji përbëjnë përjashtim nga kufizimet e udhëtimit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane dhënë për Syri Kosova.

Trendi i pajisjes me viza për kosovarët edhe në vitin e fundit ka shënuar rritje të kërkesave, kjo madje vërehet edhe te numri i madh i këtyre kërkesave pavarësisht kufizimeve që shteti gjerman ka pasur për vende të ndryshme për shkak të masave kufizuese anti-Covid.Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë aktualisht mund të lëshoj viza për kategori të caktuara për shtetet në të cilat vlejnë përjashtimet nga kufizimet e udhëtimet, siç janë: Vizat për bashkim familjar, vizat për studime dhe kategori të tjera të caktuara të vizave të punës për punonjës me kualifikim të lartë.“Për shkak të pandemisë COVID-19 që nga fillimi i vitit 2020 janë vendosur kufizime të udhëtimit për hyrje në Gjermani. Për këtë shkak, Ambasada Gjermane në Prishtinë aktualisht mund të lëshojë viza vetëm për kategori të caktuara, të cilat vlejnë përjashtimet nga kufizimet e udhëtimit, siç janë për shembull vizat për bashkim familjar, vizat për studime dhe kategori të tjera të caktuara të vizave të punës për punonjës me kualifikim të lartë. Kufizimet e udhëtimit për në BE dhe Gjermani vlerësohen rregullisht mbi bazën e zhvillimeve të ndërlidhura me pandeminë në Bashkimin Evropian dhe në shtete të treta”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë dhënë për Syri Kosova.Në anën tjetër, sipas të dhënave të kësaj Ambasade thuhet se në vitin 2019 kjo ambasadë ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza. 36 mijë prej tyre për qëndrime afatshkurta (viza Schengen) si dhe rreth 15 mijë të tjera viza nacionale për qëndrime afatgjata që përfshijnë bashkim familjar, punësim, studim etj.

Po ashtu kjo ambasadë ka bërë të ditur për Syri Kosova se është reduktuar zgjatja e kohës së pranimit të kerkesave në Zyrën e vizave.

“Për shkak të masave të domosdoshme shëndetësore dhe higjienike të ndërlidhura me pandeminë COVID-19, kapacitetet në Zyrën e vizave – megjithë zgjatjen e kohës së pranimit të kërkesave deri në orët e mbrëmjes – janë reduktuar gjithashtu. Ambasada po punon zellshëm për të lëshuar viza të kategorive që përbëjnë përjashtim nga kufizimet e udhëtimit sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e kësaj ambasade dhënë për Syri Kosova.

Për siç thotë kjo ambasadë para përhapjes së koronavirusit në marsin e vitit 2020 kishte rritur dukshëm kapacitetet lidhur me përpunimin e kërkesave për vizia.

“Ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza në vitet e kaluara. Mirëpo kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes është e pashmangshme. Për më tepër për përpunimin e aplikimeve për vizave nacionale jemi të varur nga puna shtesë e institucioneve kompetente në Gjermani. Ndërsa koha përkatëse e përpunimit varet nga rasti individual”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e ambasadës gjermane.

0 Komentues: