Monday, 15 June 2020

Moti javor, edhe një javë me mot mjaft jo stabil!


Java që po hymë do të karakterizohet me mot mjaft të ndryshueshëm dhe të paqëndrueshëm për shkak të dominimit të vazhdueshëm të fushave ajrore ciklonike apo të presionit të ulët atmosferik.

Do ti kemi të gjitha nga pak duke filluar nga intervalet kohore me diell dhe zhvillimet e fuqishme të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër kryesisht pasditeve dhe mbrëmjeve. Reshjet do të koncentrohen kryesisht në viset kontinentale dhe veçanërisht në viset kodrinore-malore por edhe vise tjera. Më së paku reshje priten në rajonet mesdhetare dhe bregdetare.

Java do të fillojë e nxehtë, kurse të martën priten ulje të temperaturave për shkak të reshjeve që priten dhe depërtimit të ajrit të freskët me origjinë nga Atlantiku. Nga mesi i javës përsëri do të kemi ngritje të lehta të temperaturave, por i nxehti do të jetë pak i rëndë për shkak të lagështisë së ajrit. Gjithsesi (në pjesën e dytë të javës) edhe pse pak më të rralla rrebeshet e izoluara të shiut me vetëtima dhe bubullimë si dhe mundësia edhe për breshër do të jenë prezent pothuajse gjatë çdo dite të kësaj jave. Reshjet do të jenë tipike verore ku shumë zona do të preken nga reshjet, kurse zona tjera mund të mos preken fare ndonjë ditë.

Në fund të themi se kjo javë mund të jetë kritike për shkak të mundësisë së paraqitjes së sërishme të breshrit dhe të shpresojmë që kjo të mos ndodhë.

Erërat do të na shoqërojnë herë pas here dhe nganjëherë mund të jenë fuqishme sidomos në kohën e shtrëngatave eventuale dhe do të vijnë nga drejtime të ndryshme.

Pra, edhe këtë javë nuk duhet pritur ndonjë anticiklon të fuqishëm i cili do të stabilizonte motin tërësisht dhe do të drejtonte ajrin e nxehtë afrikan në drejtim të rajonit tonë. Të shpresojmë javët tjera.

0 Komentues: