Monday, 16 December 2019

LVV-LDK pezullojnë takimet, Vetëvendosje do zgjedhje të reja

Tensionet e shpërfaqura gjatë vikendit ndërmjet zyrtarëve të larte të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë quar në pezullimin e takimeve ndërmjet dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës.

Kështu merr vesh arbresh.info nga burime brenda palëve negociuese, derisa bëhet e ditur se Vetëvendosje po shqyrton mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.

“Vetëvendosje në zgjedhjet e reja synon të marrë 35 për qind të votave si e vetme, ndërsa LDK-ja po shqyrton një koalicion të mundshëm parazgjedhor me NISMA-n”, bënë të ditur ky burim për arbresh.info.

Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston përfshirjen e postit të Presidentit në një marrëveshje me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje.

Përkundër pritjeve për një dakordim, kjo e fundit kërkon që kandidati për President të jetë konsensual edhe për partitë opozitare.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur për arbresh.info, se të hënën nuk pritet të ketë ndonjë takim ndërmjet Kurtit e Mustafës.

“Deri më tani nuk është vendosur për ndonjë takim ndërmjet dy liderëve”, është shprehur Manxhuka.

Presidenti, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën për konstituimin e Legjislaturës së shtatë më 26 dhjetor. Por, sipas juristëve, nëse nuk do të ketë një marrëveshje paraprake për bashkëqeverisje, kjo seancë mund të dështojë.

0 Komentues: