Wednesday, 6 March 2019

Video e rrallë: Kur Rifat Jashari kthehej në Prekaz, 2 javë pas çlirimit të Kosovës



Rifat Jashari, bashkë me nipat, është kthyer në Kosovë 2 javë pas çlirimit, raporton T7 Kthimin në atdhe është ëndrra e çdo mërgimtari. Por, një kthim të tillë nuk e kishte dashur kurrë Rifat Jashari. Është 29 qershor 1999. Pak ditë pas çlirimit të Kosovës, vëllai i komandantit legjendar kthehet nga Gjermania në Drenicë. Anëtarët e familjes që i kishte lënë në Prekaz para nisjes në Gjermani, nuk e gjen asnjërin gjallë. Të gjithë kanë rënë. Rifat Jasharin e shoqërojnë shokët e komandantit legjendar në këtë takim në Skënderaj, para se ai ta sheh Prekazin. Edhe në këto momente të vështira, Rifat Jashari gjen forcë dhe u flet për të ardhmen e vendit. Për më tepër u jep forcë të tjerëve që i tradhtonin emocionet. Bashkë me Rifatin kanë ardhur edhe nipat; qëndrojnë të fortë edhe ata. Më pas, burrat e Jasharëve nisen në Prekaz. Rrugët në të dy anët, janë mbushur me njerëz. Asgjë më shumë se një shikim i përcjellë me respektin më të madh për këtë burra që po nisen drejt shtëpive që i lanë plotë më anëtarë, e tash kanë mbetur zbraztë dhe të rrënuara. Në kodrën përballë, siç shihet në këto pamje të xhiruara nga Halit Barani, ish-aktivist i të drejtave të njeriut, janë varret e Jasharëve. Ky është momenti, kur të gjallët takohen me të rënët. Pak lot, e shumë krenari në këtë ditë të mbushur me shumë emocion.

0 Komentues: